Tuesday, November 11, 2014

THONJËZAT (" " « »)

Thonjëzat tregojnë se fjalët e përfshira në to nuk janë të një natyre me pjesën tjetër të tekstit ose përdoren me një kuptim jo të zakonshëm.
§ 116. Thonjëzat përdoren në ligjeratën e drejtë dhe në citime për të veçuar e për të dalluar fjalët që riprodhohen, nga fjalët e autorit (fjalët që paralajmërojnë fjalët e riprodhuara ose që tregojnë se kujt i përkasin ato fjalë):
Gjysmë ore më parë dikush vraponte nëpër bulevard duke thirrur si i marrë: «Qeveria ra. Qeveria ra.»
Shënime 1. Thonjëzat vihen pas pikëpyetjes a pikëçuditjes kur fjalët që riprodhohen, formojnë një fjali a periudhë pyetëse a thirrmore:
«A do t'a kemi mbaruar çatinë para se të zenë shirat?»
- Ja, kjo na shqetësonte të dyve.
I panjohuri u kthye, dhe thirri me të madhe: «Ata kanë frikë nga ne!»
2. Kur fjalët riprodhohen, formojnë një fjali a periudhë dëftore dhe ndodhen pas fjalëve të autorit, thonjëzat vihen pas pikës:
Kujtoi kohën kur kishin punuar bashkë, dhe tha me mend: «kohë të bukura.»
Kur fjalët që riprodhohen, formojnë një fjali dëftore dhe ndodhen para fjalëve të autorit, pas thonjëzave vihet presje dhe vizë: «E paska radhën plaku për të dëgjuar», - thashë me vete dhe fillova të trokitja derë më derë... 3. Thonjëzat vihen pas shumëpikëshit, kur fjalët që riprodhohen, mbarojnë me të: Por midis tyre kishte edhe nga ata që nuk e përmbanin dot veten dhe u thoshin shokëve: «T'u biem...» 4. Kur fjalët e autorit ndodhen në mes të fjalëve që riprodhohen, thonjëzat vihen në fillim e në fund, në qoftë se pas fjalëve të autorit nuk vihet pikë:
«Ismali që i ri kur ishte student, — tregon një nga shokët e tij të shkollës, - ishte i talentuar, që atëherë ai skicoi disa nga librat që dolen disa vite më pas ...»
Po, në qoftë se pas fjalëve të autorit vihet pikë, të dyja pjesët që formojnë fjalët e riprodhuara, vihen në mes thonjëzash:
Çdo ditë ne pritnim nisjen, Më keq nga të gjithë i vinte gjyshes. Atë s'e mbante vendi. «Po si kështu, more bijtë e nënës, do të më lini vetëm?» - na pyeste ajo me dashuri. - «Do të mbetet e shkretë kjo nëna pa ju !»
§ 117. Mbyllen në thonjëza fjalë me ngarkesë emocionale (ironi etj.) ose që janë përdoren me një kuptim të veçantë:
Në shtyp fjalët që përdoren me një kuptim të veçantë ose që kanë ngarkesë emocionale, mund të dallohen edhe me ndërrimin e karakterit të shkronjave.
Nëpër abetare dhe libra këndimi kishte lexuar kaq herë fjalën "Atdhe".
Shënime 1. Kur një fjalë, grup fjalësh ose fjali, pjesë të një periudhë, të mbyllura në thonjëza, ndodhen në fund të fjalisë a të periudhës, shenja e pikësimit e fjalisë a e periudhës vihet pas thonjëzave:
Këtu del roli i madh që ka pasur dhe ka Evropa në ecjen e Shqipërisë, «Shqipëria do të bëhet pjesë e saj».
2. Duhet të përdoren të dyja llojet e thonjëzave, në qoftë se bie rasti të përdoren thonjëzat brenda një teksti të mbyllur në thonjëza:
Ne të dy ishim ulur pranë e pranë në shezlongë dhe dëgjonim muzikë. Tani i kishim kaluar të 50-tat. Fëmijët kushedi si do të thonë "Këto këngë janë të vjetra, që para se ne kemi lindur".
§ 118. Të vihen mes thonjëzash parrudhat etj., kur jepen pas fjalëve parrudhë, thirrje, porosi, lëvizje etj.;
Parudha e Partisë Demokratike është "Shqipëria në Evropë"
§ 119. Në thonjëza vihen, kur jepen në tekst, edhe emrat e përveçëm a togfjalëshat që emërtojnë:
a) gazeta, revista, libra, vepra muzikore:
A e lexove sot gazetën «Drita»?
Teatri ynë vuri në skenë dramën «Toka jonë».
b) rrugë, bulevarde, sheshe, stadiume, lagje, hotele, kinema, teatro, ndërmarrje, kooperativa, uzina, kombinate, hidrocentrale, vaporë, shkolla etj.:
Jo ai banon në rrugën «Bardhyl».
Sot luhet tek stadiumi "Dinamo"
Ne të gjithë, kishim mbaruar politeknikumin «7 Nëntori».
Emërtime të tilla, si: Hoteli i Gjuetarëve etj., që kanë në përbërjen e tyre emrat e përgjithshëm të përmendur në këtë pikë nuk vihen në thonjëza:
Kaluam afër Hotelit të Guetarëve por nuk kishim kohë të ndalonim, as për kafe.
urdhra:
Urdhëri «Naim Frashëri».
Titulli «Artist i Popullit».
g) markat e cigareve, pijeve, makinave etj.:
Merr një «Tarabosh», është i fortë.
Po gjete «Narta» ose «Shesh i zi», merr tri-katër shishe.
d) emra konvencionalë sidomos të sferës ushtarake:
Kjo radiolojë njihet me emrin «Buza e bredhit».
§ 120. Në vepra shkencore vihet në thonjëza përkthimi a shpjegimi i një fjale të huaj ose përkthimi në gjuhë të huaj i një fjale shqipe:
Kështu, bie fjala, përkimet leksikore rumune-shqiptare: briu «brez».
... termi «i prejardhur» është përdorur me kuptimin e frëngjishtes «dérivé».

1 comment: