Tuesday, November 11, 2014

THONJËZAT (" " « »)

Thonjëzat tregojnë se fjalët e përfshira në to nuk janë të një natyre me pjesën tjetër të tekstit ose përdoren me një kuptim jo të zakonshëm.
§ 116. Thonjëzat përdoren në ligjeratën e drejtë dhe në citime për të veçuar e për të dalluar fjalët që riprodhohen, nga fjalët e autorit (fjalët që paralajmërojnë fjalët e riprodhuara ose që tregojnë se kujt i përkasin ato fjalë):
Gjysmë ore më parë dikush vraponte nëpër bulevard duke thirrur si i marrë: «Qeveria ra. Qeveria ra.»
Shënime 1. Thonjëzat vihen pas pikëpyetjes a pikëçuditjes kur fjalët që riprodhohen, formojnë një fjali a periudhë pyetëse a thirrmore:
«A do t'a kemi mbaruar çatinë para se të zenë shirat?»
- Ja, kjo na shqetësonte të dyve.
I panjohuri u kthye, dhe thirri me të madhe: «Ata kanë frikë nga ne!»
2. Kur fjalët riprodhohen, formojnë një fjali a periudhë dëftore dhe ndodhen pas fjalëve të autorit, thonjëzat vihen pas pikës:
Kujtoi kohën kur kishin punuar bashkë, dhe tha me mend: «kohë të bukura.»
Kur fjalët që riprodhohen, formojnë një fjali dëftore dhe ndodhen para fjalëve të autorit, pas thonjëzave vihet presje dhe vizë: «E paska radhën plaku për të dëgjuar», - thashë me vete dhe fillova të trokitja derë më derë... 3. Thonjëzat vihen pas shumëpikëshit, kur fjalët që riprodhohen, mbarojnë me të: Por midis tyre kishte edhe nga ata që nuk e përmbanin dot veten dhe u thoshin shokëve: «T'u biem...» 4. Kur fjalët e autorit ndodhen në mes të fjalëve që riprodhohen, thonjëzat vihen në fillim e në fund, në qoftë se pas fjalëve të autorit nuk vihet pikë:
«Ismali që i ri kur ishte student, — tregon një nga shokët e tij të shkollës, - ishte i talentuar, që atëherë ai skicoi disa nga librat që dolen disa vite më pas ...»
Po, në qoftë se pas fjalëve të autorit vihet pikë, të dyja pjesët që formojnë fjalët e riprodhuara, vihen në mes thonjëzash:
Çdo ditë ne pritnim nisjen, Më keq nga të gjithë i vinte gjyshes. Atë s'e mbante vendi. «Po si kështu, more bijtë e nënës, do të më lini vetëm?» - na pyeste ajo me dashuri. - «Do të mbetet e shkretë kjo nëna pa ju !»
§ 117. Mbyllen në thonjëza fjalë me ngarkesë emocionale (ironi etj.) ose që janë përdoren me një kuptim të veçantë:
Në shtyp fjalët që përdoren me një kuptim të veçantë ose që kanë ngarkesë emocionale, mund të dallohen edhe me ndërrimin e karakterit të shkronjave.
Nëpër abetare dhe libra këndimi kishte lexuar kaq herë fjalën "Atdhe".
Shënime 1. Kur një fjalë, grup fjalësh ose fjali, pjesë të një periudhë, të mbyllura në thonjëza, ndodhen në fund të fjalisë a të periudhës, shenja e pikësimit e fjalisë a e periudhës vihet pas thonjëzave:
Këtu del roli i madh që ka pasur dhe ka Evropa në ecjen e Shqipërisë, «Shqipëria do të bëhet pjesë e saj».
2. Duhet të përdoren të dyja llojet e thonjëzave, në qoftë se bie rasti të përdoren thonjëzat brenda një teksti të mbyllur në thonjëza:
Ne të dy ishim ulur pranë e pranë në shezlongë dhe dëgjonim muzikë. Tani i kishim kaluar të 50-tat. Fëmijët kushedi si do të thonë "Këto këngë janë të vjetra, që para se ne kemi lindur".
§ 118. Të vihen mes thonjëzash parrudhat etj., kur jepen pas fjalëve parrudhë, thirrje, porosi, lëvizje etj.;
Parudha e Partisë Demokratike është "Shqipëria në Evropë"
§ 119. Në thonjëza vihen, kur jepen në tekst, edhe emrat e përveçëm a togfjalëshat që emërtojnë:
a) gazeta, revista, libra, vepra muzikore:
A e lexove sot gazetën «Drita»?
Teatri ynë vuri në skenë dramën «Toka jonë».
b) rrugë, bulevarde, sheshe, stadiume, lagje, hotele, kinema, teatro, ndërmarrje, kooperativa, uzina, kombinate, hidrocentrale, vaporë, shkolla etj.:
Jo ai banon në rrugën «Bardhyl».
Sot luhet tek stadiumi "Dinamo"
Ne të gjithë, kishim mbaruar politeknikumin «7 Nëntori».
Emërtime të tilla, si: Hoteli i Gjuetarëve etj., që kanë në përbërjen e tyre emrat e përgjithshëm të përmendur në këtë pikë nuk vihen në thonjëza:
Kaluam afër Hotelit të Guetarëve por nuk kishim kohë të ndalonim, as për kafe.
urdhra:
Urdhëri «Naim Frashëri».
Titulli «Artist i Popullit».
g) markat e cigareve, pijeve, makinave etj.:
Merr një «Tarabosh», është i fortë.
Po gjete «Narta» ose «Shesh i zi», merr tri-katër shishe.
d) emra konvencionalë sidomos të sferës ushtarake:
Kjo radiolojë njihet me emrin «Buza e bredhit».
§ 120. Në vepra shkencore vihet në thonjëza përkthimi a shpjegimi i një fjale të huaj ose përkthimi në gjuhë të huaj i një fjale shqipe:
Kështu, bie fjala, përkimet leksikore rumune-shqiptare: briu «brez».
... termi «i prejardhur» është përdorur me kuptimin e frëngjishtes «dérivé».

Monday, November 10, 2014

PIKËÇUDITJA (!)

Pikëçuditja shënon përfundimin e një fjalie të mëvetësishme a të një periudhe që shqiptohet me infamacion thirrmor.
§ 32. Pikëçuditja vihet në fund të një fjalie dëftore-thirrmore a të një periudhe me fjali të tilla:
Po sa kujtime të ëmbla e të bukura ia pushtuan mendjen e zemrën atë çast Zanës!
Më paske zgjidhur një problem të madh! - foli ai i kënaqur.
Ehu, kushedi ku e ka mendjen!
Ndonjeherë Rrapoja nxehej: — «S'kuptoni gjë fare nga taktika? Pykë jeni!»
Ç'fushë e bukur!
Sonte, më në fund, edhe unë do të ngre një dolli dhe do të pi një gotë!

§ 33. Vihet pikëçuditje në fund të një fjalie dëshirore-thirrmore e nxitëse-thirrmore, si edhe në fund të një periudhe me fjali të tilla: Qofshi me shëndet e mirupafshim! Ah, kur s'erdhe një gjysmë ore më parë! Asnjë të mos luajë nga vendi! — urdhëroi Skënderbeu. Nisuni, djem, shpejt! — thirri me sa zë kishte. Shko dhe marr makinën! — i tha Teuta Petritit. Mos! — i tha me zë të ulët. § 34. Vihet pikëçuditje në fund të një periudhe me nënrenditje që ka si fjali kryesore një fjali me karakter thirrmor qoftë ajo dëftore, dëshirore ose nxitëse. Sa mirë bëtë që erdhët! — tha Gjergji. Të lumshin këmbët që na urdhërove në shtëpi! § 35. Vihet pikëçuditje në fund të një periudhe që mbaron me një fjali me karakter thirrmor:
Ajo është e fortë, që rroftë sa malet!
§ 36. Në fund të një fjalie të mëvetësishme pyetëse retorike, të një fjalie tjetër pyetëse thirrmore e të një periudhe të përbërë prej fjalish të tilla të bashkuara pa lidhëza a me lidhëza bashkërenditëse pas pikëpyetjes vihet edhe një pikëçuditje (shih edhe § 31):
E ku mund të mbajë ajo gjith atë valixhe?! — tha ai.
Po ku humbët kështu, more djem?! — i qortoi gjyshja.
Vallë, asnjëra s'kishte dalë për ta parë? ! As e ëma? ! As e motra?!
Edhe ti je zemëruar me mua?! — e pyeti ai me çudi, duke vënë buzën në gaz.
Si?! — thirri ajo. Ti je babai i Gjeraqinës?!
Kush e njohu dhe nuk u mahnit nga mendjemprehtësia dhe njohuritë e tij të gjera?!
Përdoret ky pikësim edhe në fund të një periudhe që ka si fjali kryesore një fjali pyetëse retorike a një fjali tjetër pyetëse thirrmore.
E ku ka gjë më të lartë se të vdesësh për lirine?!
Si nuk e ngushëlluam Mitin? !
Shënim. Për të vënë në dukje më shumë karakterin thirrmor të fjalisë a të periudhës pyetëse, përdoret ndonjëherë pikëçuditja e ndjekur nga pikëpyetja:
Dhe ai më thotë, i habitur: «Pse e ndaluar është!? Nuk e dimë.»
Po kështu?! Ç'është nevoja që ta bëjmë ne, ka dhe të tjerë!?
Po ti ç'më rri shtrirë ashtu!? Ngreu, se s'të shoh dot.
Kur karakteri thirrmor është mjaft i theksuar, zotërues, përdoret vetëm pikëçuditja; ky është pikësimi më i dendur.
Oh, moj Lela! Ku të shkon mendja edhe ty!
Pupu, moj vajzë, si flet kështu!
Kush s'u çudit!
Ku nuk i ka shkelur këmba Gencit!
E kush matet me rininë, që ecën përpara pa pyetur !
§ 37. Vihet gjithnjë pikëçuditje pas një thirrori ose një pasthirrme të përdorur më vete, shpeshherë edhe pas një thirrori a pathirrme në krye të një fjalie të mëvetësishme a të një periudhe, kur dalin disi të shkëputura prej saj, për tu vënë në dukje më shumë, për t'u theksuar më shumë:
a) Dikush thirri: Lumtë! Lumtë!
Bobo! - thamë ne.
Tyt! - shfryu plaka.
b) Ou! I paskemi rënë shkurt fare!
Shënim. Pasthirrmat e përsëritura mund të marrin në fund pikëçuditje e të ndahen nga njera-tjetra me presje ose mund të vihet pikeçuditja pas secilës pasthirrmë për ta theksuar me shumë atë:
Ej, ej, ej! —- ia bëri kryetari me qesëndi.
Uf, uf! ç'të them unë e gjora!
Ahaha! Ahaha! I zunë.
Bre! Bre! Bre! — habitej një fshatar i kaluar nga mosha.
§ 38. Vihet pikëçuditje edhe pas një onomatopeje që përdoret më vete:
Gaaa! - buçiti amfiteatri.
Pam! Pam! Pam! - ushtoi arma e tij
Ha-ha-ha! — qeshi ai me të madhe.
Era vërtitej dhe ulërinte: - Vuu! Vuuu!
Kuh-kuh! - u kollit plaka.
Onomatopeja shoqërohet me pikëçuditje edhe kur është në fund të fjalisë a të periudhës, po jo kur është në mes të saj:
Kënga e qyqes kumbonte kobshëm lugjeve: kuku, kuku!
U mata ta qëlloja, po pësht ia bëri dhe mori buzën e përroit.
S'di si i rrëshqiti këmba e bëlldumb brenda në det.
Çupëzat qeshën hu-hu-hu dhe u turpëruan.
Sa merrja veten, bam një gjë tjetër.
§ 39. Vihet pikëçuditje në fund të një fjale (a të disa fjalëve), të 
një fjalie a të një periudhe të ndërkallur me karakter thirrmor të vënë në kllapa:
Të më falin shokët (dhe shoqet, domosdo!) që po e nis me të tilla fjalë bisedën.
Në atë dhomë une pashë dy shtretër (po ç'krevate e ç'shtresa!), të cilët zinin tërë dhomën.
Dua t'ju flas me përshtypjet e një plaku, siç jam une (plak nga mosha, por i ri nga zemra, të kuptohemi), për një ngjaje që e kam jetuar vetë.
Ajo (e djegtë zjarri!) na paska pasur një pasqyrë që i shikonte të gjitha.
§ 40. Në dialog mund të përdoret pikeçuditja në vend të fjalëve të një bashkëbiseduesi për të dhënë çudinë a një ndjenjë tjetër të shprehur me anë të mimikës; në raste të tilla mund të përdoret ajo edhe e shoqëruar me pikëpyetje për të shprehur njëkohësisht si qëndrimin pyetës, ashtu dhe ndonjë ndjenjë:
- Eja të shkojmë.
- Ku?
- Atje!
- ...!
- Te i plagosuri.
- Si, si the? Pa përsërite edhe një here. - Le të qëllojë i pari. - ?!
§ 41. Pikëçuditja, ndonjëherë pikëpyetja e shoqëruar nga pikëçuditja, më rrallë pikëçuditja e ndjekur nga pikëpyetja, e vendosur në kllapa, përdoret për të shfaqur dyshimin për vërtetësinë e thënies a për saktësinë e fjalës pranë se cilës vihet, ironinë dhe mosmiratimin; kurse në citimet për të vënë në dukje karakterin e gabuar të një mendimi a të një mënyre të shprehuri (në këtë rastin e fundit mund të përdoret edhe fjala latine "sic!" "posi!" e shoqëruar me pikëçuditje):
Ai u kthye në Shqipëri dhe dikush e krahasoi me «rilindasit», pavarësisht se ai diku merr "rroga" të majme për të kryer disa shërbime, por njerëzit, nga fjalët e bukura që lëshon, mendojnë se këta janë ata që do të bëjnë ndryshime (!).
Ky autor e ngre lart guximin e "bashkatdhetarit energjik" të tij për këtë udhëtim që e kishte ndërmarrë "duke vëne kokën në torbë" (?!).
Vetëm në ndikimin e formalizmit mund të shkruheshin të tillë përrenj fjalësh pa kuptim, të lejohej një zhvleftësim, inflacion i tillë i fjalës. Letërsisë sonë, - thotë një kritik, - i mungon gnoseologjia dhe elementi akseologjik (!?).
Përfaqësuesi i Anglisë kërkoi që kjo masë të përkrahej me një tjetër, me nisjen e një kontingjenti prej 500 ushtarësh, nga trupat ndërkombëtare të ndodhura në Shkodër, "që do të delnin në Tiranë për t'i prerë Esatit rrugën e arratisjes nëpër mal" (sic!).
Komisioni vështronte shtëpinë... Në oxhak digjeshin kërçype (!) lisi. Dy kandila tymosnin varur në mur.
§ 42. Për të vënë në dukje karakterin thirrmor të theksuar të një fjalie a të një periudhe, mund të përdoren edhe dy ose më shumë pikëçuditje:
Hima vuri buzën në gaz me hidhërim duke thënë me vete: Ah, sikur të ndodhte kështu!! Sikur të ishte e vërtetë!!
Ç'komedi!!
Mosmarrëveshje të vogla ekzistojnë !!!
Pikëçuditja mund të përdoret e përsëritur edhe në kllapa për të shfaqur mosmiratim, ironi etj. ndaj një thënieje.
«Disa ambasada, - shkruan një gazetar, - i japin gjithnjë e më me vështirësi vizat e hyrjes për në shtetet e tyre, siç shprehen ato, që të kenë siguri përzgjedhin (!!) njerëzit që të jenë të sigurtë se do të kthehen mbrapsht».
Shënim. Në të tilla raste, ndonjëherë pikëçuditja nuk vendoset në kllapa :
Kur panë pushtuesit naziste se nuk e shkatërruan dot Frontin Nacionalçlirimtar, kërkuan marrëveshje për armëpushim!! UNÇl nuk duhej të godiste gjermanët, por mund të luftonte «Ballin», zogistët dhe kë të donte !!


Saturday, November 8, 2014

PËRDORIMI I SHKRONJAVE TË MËDHA

Shkronja e madhe përdoret për të dalluar emrat e përveçëm dhe emërtimet e barasvlershme me ta nga emrat e përgjithshëm.
Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat dhe mbiemrat e personave, epitetet ose ofiqet (nofkat)që janë pjesë përbërëse e tyre, si edhe pseudonimet:
Avni Rustemi, Dedë Gjo Luli, Gjergj Elez Alia, Gjergj Kastrioti,
Gjeto Basho Muji, Gjin Bua Shpata, Gjon Buzuku, Ismail Qemali,
Naim Frashëri, Pjetër Budi, Gjergj Fishta etj.;
Aleksandër Duma Biri, Gavril Dara i Riu, Gjergj Balsha i Parë,
Gjergj Qimekeqi, Ivani i Tmerrshëm, Rikard Zemërluani, Leka i Madh,
Asdreni, Çajupi, Jakin Shkodra, Migjeni, Platonicus, etj.
Shënim 1. Nyjat dhe pjesëzat e mbiemrave të huaj shkruhen me shkronjë të vogël, kur jepet i plotë emri dhe mbiemri i personit, por shkruhen me shkronjë të madhe, kur përdoret vetëm mbiemri dhe kur nyja ose pjesëza është element i domosdoshëm i tij: Kalileron de la Barka, por: De Ia Barka, Leonardo da Vinçi, por: Da Vinçi; Lope de Vega, por: De Vega; Vincent van Gog, por: Van Gog etj.
Me shkronjë të madhe shkruhen edhe pjesët O, Mak, San, Sen të mbiemrave të huaj të personave:
O Brien, O Konor, O Kejsi; Mak-Dovell, San-Martin, Sen-Simon etj.
Shënim 2. Të gjitha pjesët e emrave dhe të mbiemrave kinezë, koreanë, vietnamezë e birmanë fillojnë me shkronjë të madhe:
Li Siu Çen, Lu Sin, Ngujen Van Troi, Sun Jat Sen etj.
Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat e mbiemrat e përveçëm, të cilët, megjithëse përdoren për të shënuar një kategori të caktuar njerëzish, nuk janë kthyer në emra të përgjithshëm:
janë të rrallë në histori Gjergj Kastriotët;
kemi edhe ne Homerët tanë; një Promete i ditëve tona etj.
Shënim. Kur emrat e përveçëm të njerëzve janë kthyer në emra të përgjithshëm që shënojnë tipin përkatës, shkruhen me shkronjë të vogël:
ciceron, donkishot, gobsek, harpagon, kuisling, mentor etj.
Me shkronjë të vogël shkruhen edhe emërtimet e njësive të matjes, të mjeteve teknike, të sendeve etj., të cilat burojnë nga emra të përveçëm:
amper-i, om-i, vat-i, volt-i, zhul-i; dizel, ford, mauzer, rëntgen etj.
Emërtimet e funksioneve shtetërore, politike e ushtarake, të gradave, të titujve fetarë etj. shkruhen me shkronjë të vogël:
ministri i Ndërtimit X X, deputeti i Kuvendit Popullor X X,
presidenti i Republikës, perandori Kostandin,
mbretëresha Teuta, sulltan Murati Il;
ambasadori X X; komandanti i regjimentit, komandanti i korpusit,
komandanti i brigadës, shefi i shtabit, admirali X X,
mareshali X X, gjenerali X X, etj.;
dukë Gjin Tanushi, princi Karl Topta, kont Niketë Topia,
vojvodë Janosh Huniadi, Ali pashë Gucia,
anëtari i Akademisë së Shkencave X X,
profesor X X, doktor profesor Aleksandër Xhuvani, etj.;
Kur këto emërtime përdoren më vete (jo në fjali), siç ndodh zakonisht në rastet kur u drejtohemi personave përkatës, në nënshkrimet, si edhe në renditjen e emërtimeve në fjalë në dokumentet zyrtare, ato shkruhen me shkronjë të madhe si në fonmën e plotë, ashtu edhe në formën e shkurtuar.
papa Kalisti III, peshkopi Pal Engjëlli, at Shtjefën Gjeçovi,
imzot Luigj Bumçi, sheh Mustafa Tetova etj.
Kur emërtimet e mësipërme janë bërë pjesë e pandarë e një emri të përveçëm, ato shkruhen me shkronjë të madhe:
Baba Faja, Hoxha Tahsini, Kont Urani,
Madam dë Stal, Papa Kristo Negovani, Princ Vidi etj.
Emërtimet e funksioneve zyrtare e shoqërore më të larta, titujt më të lartë të nderit në RSH dhe emërtimet e urdhrave e të medaljeve shtetërore shkruhen me shkronjë të madhe (të gjitha fjalët që hyjnë në përbërjen e tyre, me përjashtim të nyjave); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare:
Kryetari i Presidiumit të Kuuendit Popullor;
Kryetari, i Këshillit të Ministrave të Republikës të Shqipërisë;
Hero i Popullit; Mësues i Popullit;
Artist i Popullit; Urdhri Naim Frashëri etj.
Emërtimët e titujve të tjerë të nderit shkruhen me shkronjë të madhe vetëm në fjalën e parë:
Artist i merituar, Mësues i merituar, Mjeshtër i sportit etj.
Emërtimet e titujve të nderit vihen në thonjëza, kur përdoren menjëherë pas fjalës "titull", si ndajshtim i paveçuar me presje:
iu dha titulli ,"Hero i Popullit", "Artist i Popullit" etj.,
por shkruhen: Heroi i Popullit Qemal Stafa,
Mësuesi i Popullit Aleksandër Xhuvani,
Artistja e Popullit Marie Logoreci etj.
Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të botës mitologjike e fetare, si edhe ata të figurave e të tregimeve popullore:
Adami, Apoloni, Buda, Diana, Eva, Hermesi, Jupiteri,
Krishti, Minerva, Muhameti, Neptuni,
Polifemi, Shiva, Zeusi etj.;
Borëbardha, e Bukura e Dheut, Hirushja etj.
(por shkruhen me shkronjë të vogël emrat e përgjithshëm të sferave të mësipërme si allah, engjëll, perëndi, perri, shenjt, xhind, zanë etj.).
Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm të kafshëve:
Balashi, Baloja, Bukefali, Kazili, Kuqali, Laroja etj.
Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet e planetëve, të yjeve, të yjësive e trupave të tjerë qiellorë:
Arusha e Madhe, Arusha e Vogë, Galaktika, Juplteri,
Kashta e Kumtrit, Dielli, Hëna, Marsi, Neptuni,
Saturni, Shenjëzat, Toka, Urani, Ylli Polar etj.
Shënim. Emrat dielli, dheu, hëna, toka etj.
 shkruhen me shkronjë të vogël, kur nuk përdoren si terma të astronomisë, p.sh. perëndimi i diellit; temperatura në det e në tokë është e ndryshme; një natë pa hënë etj.
Emërtimet gjeografike e territoriale-administrative, si edhe emrat e tjerë të vendeve shkruhen me shkronjë të madhe:
Adriatiku, Alpet, Buna, Dajti, Devolli, Drini,
Joni, Karpatet, Labëria, Luma, Mirdita, Myzeqeja,
Sazani, Skrapari, Shari, Shqipëria, Tomori, Vjosa, Vlora etj.
Pjesët përbërëse të një emërtimi gjeografik a të një emri vendi prej dy a më shumë fjalësh shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave, lidhëzave e parafjalëve):
Amerika Latine, Azia e Vogë, Bishti i Pallës, Bjeshkët e Nemuna,
Bregu i Detit, Bregu i Fildishtë, Bregu i, Matës, Briri i Artë,
Deti i Bardhë, Deti i Kuq, Deti i Vdekur, Deti i Zi, Drini i Bardhë,
Fusha Mbret, Gadishulli Ballkanik, Gadishulli Iberik, Gropa e Shkodrës,
Guineja e Re, Guri i Bardhë, Guri i Hasit, Gjiri Arabik, Gjiri Persik,
Ishulli i Lezhës, Kepi i Gjelbër, Kepi i Shpresës së Mirë,
Kodra e Kuqe, Kunora e Lurës, Lëndina e Lotëve, Lugjet e Verdha,
Lumi i Vlorës, Maja e Hekurave, Malësia e Madhe,
Malësia e Mbishkodrës, Mali i Bardhë, Mali i Gjerë,
Mali i Zi, Mali me Gropa, Oqeani i Ngrirë i Veriut,
Përroi i Thatë, Poli, i Jugut, Poli i Veriut, Qafa e Gjarprit,
Qala e Thanës, Qafa e Zezë, Reç-e-Dardha,
Rrafshi i Dukagjinit, Rruga e Barrikadave,
Sheshi i Flamurit, Shkalla e Tujanit, Shkëmbi i Kauajës,
Shtegu i Dhenve, Tenda e Qypit, Toka e Zjarrtë, Ura e Shtrejtë,
Vau i Dejës, Vendet e Ulëta, Zelanda e Re etj.
Shënim 1. Emrat e përgjithshëm gjeografikë si breg, buzë, çukë, det, fushë, gadishull, grykë, gji, hundë, istëm, ishull, kanal, kep, kodër, krua, liqen, lumë, majë, mal, ngushticë, përrua, qafë, qytet, sukë, shkretëtirë, shpellë; tropik, vargmal etj., kur nuk janë pjesë përbërëse e një emërtimi të përveçëm, por përdoren si përcaktues të një emri gjeografik ose përcaktohen prej tij, shkruhen me shkronjë të vogël:
çuka e Ajtojt, deti Adriatik, deti i Kinës Jugore, fusha e Korçës,
fusha e Myzeqesë, gadishulli i Ballkanit, gryka e Këlcyrës,
gjiri i Vlorës, hunda e Karaburunit, istmi i Korintit,
ishulli i Sazanit, kanali i Korfuzit, kanali i Myzeqesë,
kanali i Suezit, kepi i Rodonit, kroi i Zejmenit, liqeni Balaton,
liqeni i Prespës, liqeni i Shkodrës, lumi i Matit, lumi i Tiranës,
maja e Korabit, maja e Radohinës, mali i Dajtit, ngushtica e Bosforit,
ngushtica e Gjibraltarit, përroi i Munellës, qafa e Llogorasë,
qyteti i Fierit, shpella e Dragobisë, tropika i Gaforres,
vargmali i Andeve etj.
Shënim 2. Mbiemrat që janë pjesë përbërëse të emrave gjeografikë, sikurse shihet edhe nga shembujt e mësipërm, shkruhen kurdoherë me shkronjë të madhe:
Curraj i Epër, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Kanali i Madh,
Kurveleshi i Poshtëm, Labova e Sipërme, Malësia e Madhe,
Mali i Zi, Myzeqeja e Vogël, Prespa e Madhe, Prespa e Vogël etj.
Shënim 3. Të gjitha pjesët përbërëse të emërtimeve zyrtare të shteteve fillojnë me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave):
Despotati i Epirit, Mbretëria e Nepalit, Perandoria Osmane,
Perandoria Romake e Lindjes, Perandoria Romake e Perëndimit,
Principata e Arbërisë, Principata e Lihtenshtajnit,
Republika Arabe e Egjiptit, Republika Franceze,
Republika Popullore e Kinës, Republika e Shqipërisë,
Republika e San-Marinos, Republika e Rumanisë, Britania e Madhe
Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
Shënim 4. Emrat e anëve të horizontit dhe mbiemrat e fomruar prej tyre shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjës), kur përdoren si emërtime njësish territoriale (gjeografike ose historike) ose si pjesë të këtyre emërtimeve:
vallet tona të Jugut, popujt e Lindjes, Lindja e Largme,
Lindja e Mesme, shtetet e Perëndimit,
kryengritjet e malësorëve të Veriut, popujt e Veriut etj.;
Amerika e Jugut, Italia e Jugut, Poli i Jugut,
Vietnami i Jugut, Evropa e Veriut, Irlanda e Veriut, Koreja e Veriut,
Poli i Veriut, Shqipëria e Veriut, Vietnami i Veriut etj.;
Amerika Jugore, Evropa Jugore, Shqipëria Jugore,
Evropa Juglindore, Azia Juglindore, Evropa Lindore,
Mesdheu Lindor, Evropa Perëndimore, Afrika Veriore,

Amerika Veriore, Shqipëria Veriore, Shqipëria Veriperëndimore etj.;
Kur emrat dhe mbiemrat e mëposhtëm përdoren për të shënuar një drejtim ose një pikë të horizontit, shkruhen me shkronjë të vogël:
u nisën dreit veriut; era fryn nga lindja;
në drejtim veriperëndimor etj.
Shënim 5. Emërtimet gjeografike shkruhen me shkronjë të madhe, edhe kur përdoren me kuptim të figurshëm:
Borovë (djegia), Vaterlo (beteja).
Emërtimet e periudhave, të ngjarjeve, të akteve e të dokumenteve historike me rëndësi kombëtare ose ndërkombëtare, të monumenteve historike e të monumenteve të kulturës shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese):
Çlirimi, (zhvillimi ekonomik pas Çlirimit), Reforma,
Rilindja, Rilindja Kombëtare Shqiptare, Tanzimati etj.;
Komuna e Parisit, Konferenca e Ambasadorëve,
Konferenca e Labinotit, Konferenca e Paqes,
Konferenca e Pezës, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe,
Kongresi i Lushnjës, Kongresi i Manastirit,
Kongresi i Përmetit, Kuvendi i Lezhës,
Lidhja e Prizrenit, Lufta e Dytë Botërore,
Lufta e Vlorës, Mbledhja e Beratit,
Nata e Shën Bartolemeut, Njëqind Ditët, Operacioni i Dimrit,
Qeveria e Përkohshrne e Durrësit, Reforma Agrare,
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip,
Traktati i Londrës, Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Versajës etj.;
Dekreti i Paqes, Dekreti i Tokës, Karta e Kombeve të Bashkuara,
Karta e Madhe e Lirive, Kushtetuta e RSH etj.;
Kalaja e Gjirokastrës, Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut,
Manastiri i Ardenicës etj.;
Monumenti i Shpalljes së Povarësisë (Vlorë),
Monumenti i Luftëtarit Kombëtar (Korçë),
Monumenti i Skënderbeut (Tiranë, Krujë),
Ura e Mesit, Xhamia e Ethem beut (Tiranë) etj.
Shënim. Emërtimet e epokave gjeologjike, historike e të formacioneve historiko-shoqërore që nuk janë emra të përveçëm, shkruhen me shkronjë të vogël:
diluvi, jura, kuaternari etj.; koha e re, mesjeta, neoliti, paleoliti etj.;
feudalizmi, komuna primitive, kapitalizmi, etj.
Emërtimet zyrtare (të sotme ose historike) të institucioneve të shtetit, si edhe emërtimet e organizatave shoqërore e të njësive ushtarake kryesore shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare:
Kuvendi Popullor, Presidiumi i Kuvendit Popullor,
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë,
Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme,
Ministria e Tregtisë, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë,
Universiteti i Tiranës, Biblioteka Kombëtare,
Banka e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë,
Instituti i Monumenteve të Kulturës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë,
Fakulteti Ekonomik, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe i Baletit,
Shtëpia Botuese e Librit Shkollor etj.
Shënim. Emërtimet e kategorive të mësipërme, kur përdoren si emra të përgjithshëm, shkruhen me shkronjë të vogël:
ky universitet nuk ka fakultet mjekësie etj.
Në rastet kur një pjesë e emërtimit zyrtar të një institucioni, organizate etj. përdoret për të përfaqësuar gjithë emërtimin, kjo pjesë shkruhet me shkronjë të madhe: ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Jashtme etj.
Kur në një kontekst të caktuar një emërtim i tipave të përmendur më sipër rishfaqet me anë të fjalës së parë, kjo shkruhet me shkronjë të madhe, si përfaqësuese e një emri të përveçëm:
forcat e Lidhjes  e Lidhjes së Prizrenit);
mësimet e Komunës  e Komunës së Parisit);
institutet e Akademisë  e Akademisë së Shkencave të RSH);
Shkruhen me shkronjë të madhe pjesët përbërëse të emërtimeve të festave kombëtare e ndërkombëtare:
29 Nëntori, 8 Marsi ose Tetë Marsi,
Dita e Mësuesit, Dita Ndërkombëtore e Gruas, Viti i Ri etj.
Shënim. Emrat e festave fetare shkruhen me shkronjë të vogël:
bajrami, kërshëndellat, mevludi, nata e mirë, pashkët, e premtja e zezë, ramazani, rrëshajët, ujët e bekuar etj.
Te titujt e gazetave, të revistave e të librave, të cilët vihen kurdoherë ndërmjet thonjëzash, shkruhet me shkronjë të madhe vetëm fjala e parë dhe emrat e përveçëm që hyjnë në përbërjen e titullit:
"Zëri i popullit", ,"Republika", "Gazeta shqiptare",
"Studime filologjike", "Gjurmime albanologjike",
"Revista pedagogjike" etj.;
"Bagëti e bujqësia", "Gramatika e gjuhës shqipe",
"Historia e Skënderbeut" , "Historia e letërsisë shqipe",
Komedia hyjnore", "Drejtshkrimi i gjuhës shqipe",
"Toka jonë", "Zëri i arbëreshëve" etj.
Po kështu shkruhen titujt e botimeve në gjuhët e huaja, kur jepen me alfabetin e shqipes:
"I foni tis Alvanias", "Noje rajnishe cajtung",
"L'albanese d'ltalia" etj.
Shkurtimet e emrave të shteteve, të partive, të organizatave, të shoqërive, të institucioneve, të ndërmarrjeve etj., shkruhen me shkronja te mëdha, pa vënë pikë as ndërmjet, as pas tyre:
RSH, SHBA, OKB, NATO, SEATO, UNESKO, FIFA, UEFA etj.;
ATSH, TEC, AXHERPRES, AFP, MENA, etj.
Shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përgjithshëm, kur përdoren për të shënuar qenie të personifikuara (në fabulat, përrallat e në krijime të tjera letrare):
Plaku i Vitit të Ri; O Prill, o im vëlla!; "Vajza dhe Vdekja";
Përralla gjet një ditë të Vërtetën (N. Frashëri);
Të lumtë, o Arbër, se na zbardhe faqen! (K. Kristoforidhi) etj.
Mund të shkruhet me shkronjë të madhe një emër i përgjithshërn për qëllime të veçanta stilistike, për të theksuar me forcë a me ngjyrim të veçantë një nocion, një njeri a një ide të caktuar (Atdheu, Mëmëdheu, Liria, Komandanti, Njeriu, Nëntori etj.):
"Të bukurën e gjeta te ti, o Atdhe!";
"Të nderojmë Mëmëdhenë!";
Përemri vetor ju dhe përemrat pronorë juaj, (i, e) tij, (i, e) saj, në shenjë nderimi për personin të cilit i drejtohemi, ose për të cilin flasim, mund të shkruhen me shkronjë të madhe. Me shkronjë të madhe mund të shkruhen edhe emërtimet e bartësve të funksioneve shtetërore e shoqërore, kur u drejtohemi atyre:
Po ju drejtohem Ju me shpresë që ta shqyrtoni këtë rast ...;
Zoti Ministër!; Shpresoj, Zoti Kryetar, se do të marr nga Ju një përgjigje të shpejtë etj.
Shkruhen me shkronjë të madhe emërtimet shkencore të tipave, klasave, rendeve, familjeve e gjinive të botës bimore e shtazore në trajtën latine të tyre; te emërtimet e llojeve e të nënndarjeve të tyre shkruhet me shkronjë të madhe vetëm fjala e parë:
Chordata, Protozoa, Mammalia, Pisces, Rodentia,
Turdus, Mugil, Canis lupus, Lacusta viridis etj.;
Dicotyledones, Monocotyledones, Leguminosae,
Pinaceae, Larix, Abies, Castanea sativa, Salvia etj.
Shkruhen me shkronjën e parë të madhe simbolet e elementeve kimike:
Cl, Fe, H, Mg, Mn, N, Na, O, S etj.
Emrat e përgjithshëm si:
rrugë, bulevard, stadium, shesh, lagje, hotel,
kinema, teatër, ndërmarrje, kooperativë, uzinë,
kombinat, hidrocentral, vapor, shkollë, klub,
gazetë, revistë, roman, poemë, dramë, opera, balet, këngë, etj.,
që përcaktohen nga një emër a emërtim i përveçëm në rasën emërore, i vënë ndërmjet thonjëzash *, shkruhen me shkronjë të vogël:
    ) Emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse nuk vihen në thonjëza
rruga "Asim Vokshi", rruga "Kongresi i Përmetit",
bulevardi "Dëshmorët e Kombit",
bulevardi "Donika Kastrioti",
stadiumi "Dinamo", sheshi "Avni Rustemi",
sheshi "Skënderbej", lagja,;
hotel "Adriatiku", kinema "Morava,
teatri "Aleksandër Moisiu", teatri "Migjeni",
vapori "Vlora", shkolla "Bajram Curri",
klubi "Flamurtari", revista "Nëntori",
drama "Toka jonë", opera "Skënderbeu",
baleti "Halili dhe Hajrija", kënga "Për ty atdhe" etj.
Kur emërtimet e mësipërme përdoren më vete (jo në fjali) në tabelat, dokumentet e shpalljet zyrtare, shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë. Me shkronjë të madhe shkruhen gjithashtu emrat, shesh, rrugë, lagje etj., kur ata janë pjesë e emërtimit të përveçëm përkatës:
Rruga e Barrikadave, Sheshi i Flamurit, Klubi i Manastirit etj.
Emrat e popujve dhe të banorëve të një vendi, të një krahine, të një qyteti etj. shkruhen me shkronjë të vogël:
afrikanët, algjerianët, amerikanët, bullgarët, evropianët,
francezët, hungarezët, kinezët, pellazgët, polakët,
rumunët, shqiptarët, vietnamezët, zviceranët etj.;
arbëreshët, beratasit, dibranët, elbasanasit, giirokastritët,
kosovarët, kolonjarët, matjanët, myzeqarët,
shkodranët, tiranasit, ulqinakët, vloniatët etj.
Emrat e ditëve të javës, të muajve e të stinëve shkruhen me shkronjë të vogël:
e hënë, e martë, e mërkurë etj.;
janar, shkurt, mars, prill, maj etj.;
pranverë, verë, vjeshtë, dimër.
Në veprat poetike fjala e parë e çdo vargu mund të filloje me shkronjë të madhe ose të vogël; por në rastet kur vargjet, në citimet, shkruhen vijueshëm njëri pas tjetrit, jo secili në rresht më vete, ato nisin gjithmonë me shkronjë të madhe. Fillon me shkronjë të madhe fjala e parë e çdo teksti të shkruar, si edhe fjala e parë e një fjalie ose periudhe që vjen pas pikës, 
shumëpikëshit, pikëpyetjes, pikëçuditjes dhe dy pikave, kur këto shënojnë mbarimin e një fjalie të veçantë a të një periudhe të mëparshme.
Shënim. Kur pikëpyetja, pikëçuditja ose shumëpikëshi vihet pas ligjëratës së drejtë dhe në fjalët e autorit, që vijojnë, tregohet se kujt i takon ligjërata e drejtë, pas shenjave të mësipërme, fjala e parë shkruhet me shkronjë të vogël:
- Si shkoi udhëtimi? - pyeti babai pa hyrë mirë në shtëpi;
- M'u duk djalë i mirë... - i thashë unë.
Po kështu shkruhet me shkronjë të vogël fjala e parë pas shumëpikëshit që shënon ndërprerje gjatë ligjëratës dhe jo mbarimin e fjalisë a të periudhës së mësipërme, p.sh.:
Ky tavan është i ulët.. . tavani i shtëpisë sonë është më i lartë dhe i lyer me bojë të gjelbër.
Shkruhet me shkronjë të madhe fjala e parë pas dy pikave në këto raste:
a) kur fillon një ligjëratë e drejtë a një citat, që vihet ndërmjet 
thonjëzash:
Populli ynë thotë: "Trimi i mirë me shokë shumë";
Skënderbeu ka thënë: "Lirinë nuk e solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj".
b) kur pas dy pikave radhiten, zakonisht në tekste zyrtare (statute, ligje, rregullore, urdhëresa, vendime etj.), paragrafë të veçantë që nisin me kryerresht dhe mbarojnë me pikë.
Shënim. Në të gjitha rastet e tjera teksti që vjen pas dy pikave, fillon me shkronjë të vogël:
Çdo ditë bënim të njejtat punë: mbushnim ujë, çanim drutë, gatuanim, dhe qëndisnim pajën.