Thursday, October 30, 2014

Takimi i D-së me T-në !

Kur në formim fjalësh ose trajtash takohet një d me një t, shkruhen të dyja këto bashkëtingëllore:

(i, e) argjendtë, (i, e) njëmendtë, (i, e) njëqindtë, (i, e) pesëqindtë, i treqindti, etj.


mendtë, ai po e bindte; në e bindtë, po endte, në u gjendtë, në lindtë djalë, në rendtë, në shkundtë.


Proces apo proçes? Certefikatë apo çertefikatë? Censurë apo çensurë?

Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët me burim nga latinishtja apo nga gjuhët romane, si edhe nga greqishtja, të cilat në gjuhën shqipe kanë një c të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me c dhe jo me ç apo me s:
acetik, celebrim, celsius, celulozë, censurë, central, cerebral, certefikatë, kancelar, koncept, leucemi, proces, tercet etj.

agjenci, agjitacion, cikël, ciklamin, ciklik, cilindër, cirk, citat, citoj, civil, deficit, delegacion, incizoj, klasicist, konciz, laicizëm, nacional, provincial, publicist, social, teoricien etj.

Në pajtim me këtë rregull edhe emrat e përveçëm të kësaj kategorie shkruhen me c:

Barcelona, Centauri, Cerberi, Cezari, Cikladet, Ciklopi, Horaci, Lukreci, Sicilia ( po kështu sicilian) etj.

Shënim 1. Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh shkruhen me ç: biçikletë, çiklist, çiklizëm, çimento, motoçikletë.

Shënim 2. Shkruhen me s fjalët: dispensë, mensë.

Shënim 3. Shkruhen me k fjalët: keltët, kibernetikë, kinema, makinë.



Tuesday, October 28, 2014

Emrat që shkruhen me dy trajta shumësi !

Sipas kuptimeve me të cilat përdoren, një numër emrash shkruhen me dy trajta shumësi:

brinjë: brinjë-t (brinjët e trupit)
brinjë: brinja-t (në ato kodra, në ato brinja)

copë: copë-t (pesë mijë copë tulla)
copë: copa-t (dy copa bukë)

grykë: grykë-t (më dhembin grykët)
grykë: gryka-t (grykat e maleve)

kokë: kokë-t (dhjetë kokë dhen)
kokë: koka-t (kokat e qepëve)

pikë: pikë-t (fitoi pesë pikë)
pikë: pika-t (pikat e shiut)